Biografi

Mustafa Tukaj lindi në Shkodër me 14 nëntor 1952.
Pasi përfundoi shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, ndoqi studimet e larta në Fakultetin Filologjik dhe u diplomua për gjuhë Ruse me rezultate të shkëlqyera.


Ka punuar si mësues në shumë shkolla të rrethit të Shkodrës, periudhë së cilës i përkasin disa nga veprat e tij letrare, si: “Fanela Blu me numër 9”, 1978, (tregime) “Vajza dhe Flamuri” 1978 (tregime) dhe “ Fotografia e një dite qershori”1982(novelë) .


Pasioni i tij për teatrin dhe provat e para në dramaturgji kurorëzohen shpejt e me sukses në dramën e tij “Rrënjët e dashurisë”, që vihet në skenë në vitin 1982 në teatrin“Migjeni” të qytetit të lindjes me regji të Artistit të Popullit Serafin Fanko. Po këtë vit ai fillon punë në
këtë teatër si dramaturg – libretist, detyrë që do ta mbajë deri në vitin 1991. 

Gjatë kësaj periudhe shkroi disa drama të suksesshme dhe të pritura mirë nga shikuesit dhe kritika letrare e kohës, si:

“ Kaçakët”( 1983), teatri “Migjeni”, ”
“Një fund I tillë”, fituese e çmimit të pare në konkursin letrar të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarësve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1985, dramë kjo e vënë në skenë nga trupat profesioniste të teatrove të Shkodrës, Vlorës (me titull të ri “ Dosja e një hetimi të veçantë” dhe trupa e teatrit të Beratit,
“Çminimi i një bote“( 1986) vënë në skenë në teatrin Fierit,
“ Hija e Fajit” , 1986, Teatri Migjeni,
”Kurt ë vret e mira” (1988), Teatri “Migjeni”
“Neni 55” (1991) Teatri” Migjeni”.

Pas vitit 1991 kalon në “profesion të lire” periudhë gjatë së cilës merret me tepër me botime librash artistike e metodikë si:
“Faith and Fairies” përmbledhje me legjenda shqiptare të letrarizuara në anglisht,(2002) “Thesari dhe djajtë”, 2003, ( Roman për fëmijë)
“ Reading 1” dhe “Reading 2” dy botime me tekste në Anglisht të paisura me fjalor Anglisht – Shqip, Anglisht- Anglisht, shembuj, sinonime, antonime etj (2004) “ Besë dhe Zana” , 2009, permbledhje me legjenda shqiptare në gjuhën Ruse, “Rivalët” , 2010, roman për adoleshentë. Në vitin 2012, pas një shkeputje relativisht të gjatë nga teatri, shkruan dramën “ Të ftuarit”, e cila në konkursin mbarëkombtar të dramaturgjisë shqipe, organizuar nga Ministria e
Kulturës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u vlerësua me çmim kombtar.

Në vitin 2017 shkroi një dramë të re të titulluar “ Vrasja e dytë”, me temë nga paslufta në Kosovë.

Mustafa Tukaj zotëron disa gjuhë të huaja.

Ai jeton në Shkodër, ku vazhdon të punojë e të krijojë.