Drama

Rrënjët e dashurisë

Regjisor: Serafin Fanko
Ngjarjet e dramës zhvillohen në një kantjer pune, gjatë ndërtimit të njërit prej hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit, ku krahas vështirësive të shumta që dalin para punëtorëve dhe ingjinierëve të talentuar për të realizuar detyrën, shpaloset shpirti human dhe dashuria e pashoqe për njëri tjetrin, dashuri kjo e skalitur përmes jetës së përbashkët e të thjeshtë.

Kaçakët

Regjisor: Violeta Sekuj
Një dramë historike me subjekt nga lufta e paepur e popullit shqiptar për pavarësi, në vitet e para të shekullit të njëzetë.

Një fund i tillë..

Teatri Vlorë
Regjisor: Nazmi Bonjaku
Teatri Shkodres
Regjisor: Elez Kadria
E shkruar në formën e një thrilleri të vërtetë, drama nis me një vrasje. Një njeri është gjetur i vrarë në shtëpinë e tij.Në pamje ajo është menduar të duket si një vrasje e shkaktuar për motive të dobta, po që, gradualisht e duke ruajtur gjithëmonë të papriturën, kalon përmes situatash të paparashikuara që vijnë gjithnjë në rritje, derisa shpërfaq të vërtetën në skenat e fundit të saj.

Çminimi i një bote.

Teatri "Bylis" Fier
Regjisor: Fatos Sela
Janë ditët e fundit të çlirimit të vendit. Njerëzit presin me padurim që pushtuesi nazi-fashist të largohet, kur befas mësohet se qyteti është i minuar në shumë pika dhe se para largimit gjermanët donin ta hidhnin në erë.Minimi është kryer nga xhenjerët- robër italianë, të detyruar nga tytat e automatikëve nazistë...Paniku nis të pushtojë qytetin. Katastrofa ka trokitur në prag të derës...Në një situatë të tillë dramatike, përmes skenash interesante gjithnjë në rritje personazhet kryesorë e të larmishëm të dramës zbërthehen krejtësisht, duke shpërfaqur deri në detaje çdo skutë të karakterit të tyre...

Hija e fajit

Teatri "Migjeni" Shkoder
Regjisor: Serafin Fanko
Si një ndër dramat më të suksesëshme të kohës kur u shkrua, krahas ndonjë krijimtarie tjetër të rrallë të këtij lloji në po ata vite nga ndonjë autor tjetër, drama bëri bujë të madhe dhe u shfaq me shumë sukses pothuajse në te gjitha skenat teatrore të Shqipërisë. Përveç realizimit të saj artistik nga autori, karaktereve interesantë apo gjuhës së bukur të personazheve, realizimit skenik nga regjisori dhe interpretimit të spikatur të aktorëve, pati edhe një arësye tjetër në suksesin e saj : tema dhe problemet e saj të mprehta që ajo shtronte në ato vite diktature me luftë të ashpër klasore: njeriu edhe mund të gabojë ne jetë, edhe mund të dënohet nga ligji. Por, pas kryerjes së dënimit, atë nuk duhet ta ndjekë pas gjithë jetën hija e fajit të tij...

Kur të vret e mira

Teatri "Migjeni" Shkoder
Regjisor: Margerita Koka
Një njeri mund të jetë i talentuar e i aftë në profesionin e tij. Ai edhe mund të bëjë karrierë e të ngjitet gjithnjë e më lart. Po kurrë nuk duhet të harrojë e të përbuzë njerëzit e tij të afërt, miqtë e shokët e mirë me të cilët është rritur dhe ka kaluar vite të tëra...Se mund të ndodhë, pastaj, që një ditë të “rrëzohesh nga kali” e të biesh në “baltë”. Kujt do t’i kërkosh ndihmë të të zgjasë dorën që të ngrihesh prapë?
Ky është edhe mendimi kryesor i dramës, që shfaqet përmes shtjellimit të ngjarjeve interesante dramatike, që gërshetohen herë herë me skena lirike e të këndëshme.

Neni 55

Teatri "Migjeni" Shkoder
Regjisorë: Fatbardh Smaja dhe Bruno Shllaku

Vetëm ata që kanë jetuar në Shqipëri në vitet e diktaturës komuniste e kuptojnë domethënien e nje neni të tillë barbar, i cili të dërgonte menjëherë në burg për 15 vjet a më shumë, vetëm e vetëm në se guxoje të shprehje një mendim të lirë, disi jashtë kornizës së parimeve të pushtetit diktatorial.

Të ftuarit

Një pasdreke me shi, në një nga apartamentet e një godine shumëkatëshe, vijnë njëri pas tjetrit pesë persona: Burri me mjekërr, Burri me Borsalinë, Burri me kostum të shtrenjtë, Një grua rreth të dyzetave dhe Burri me karrocë invalidi.

Vrasja e dytë

Shkruar 2017-2018. Drama shtjellon temën e pasluftës së fundit të Kosovës , në fundin e viteve 90 fillimi i vitit 2000. Përmes një konflikti tepër dramatik, zbërthehen karakteret e një familje kosovare,pjestarët e së cilës pa përjashtim vuajnë pasojat e krimeve monstruoze të nacionalistëve serbë. Në mënyrë të veçantë këtë e ndjejnë sidomos femrat e familjes Destani...